Presidenti dhe Kryeministri pritet që brenda disa ditësh të emërojnë komandantin e përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidenti Sejdiu, pas një takimi që pati sot me Ministrin e Mbrojtjes së Portugalisë Nuno Severiano, tha se është në konsultime të vazhdueshme me kryeministrin për emrin e njeriut që do ta drejtojë këtë forcë.

Fatmir Sejdiu: “Unë ma tepër do ta quaja një nevojë e konsultimeve të mëtejshme se çu vendos dhe mendoj se do të procedohet së shpejti, mund të them që qeveria aty është duke u marr me këto çështje dhe po sa të vijnë propozimet, ashtu siç parashihet kushtetutë tek unë natyrisht që do procedoj në marrjen e vendimit të mëtejshëm për nominim”.

Nga ana e tij Ministri i Mbrojtjes së Portugalisë, ka premtuar se Lisbona do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha fushat.

Nuno Severiano: “Portugalia tashmë e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Shpresojmë që Kosova do të jetë një shtet i konsoliduar, një shtet dhe shoqëri multietnike me institucione të forta demokratike. Ndihma jonë nuk do të mungojë në këtë aspekt”.

Forca e Sigurisë së Kosovës pritet ti ketë rreth 3000 pjesëtarë të pajisur me armatim të lehtë derisa shumica nga ata do të jenë ish-pjesëtarë të trupave mbrojtëse të Kosovës. Trajnimi i pjesëtarëve të FSK-së ndërkaq do të bëhet nga NATO-ja./tvklan.al