Presidenti shqiptar, Bamir Topi, mori titullin qytetar nderi në Ferizaj në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë.

Qindra qytetarë dolën për ta pritur atë para ndërtesës së komunës, e cila një ditë më parë akordoi këtë titull në shenjë nderimi për kontributin e tij për arritjen e shtetësisë së Kosovës.

Bamir Topi: “Kam një emision tepër të veçantë. Natyrisht ky emocion nuk lidhet thjesht me marrjen e një titulli, ndonëse ky titull ka një simbolikë tepër të veçantë. Titulli qytetar nderi që i jepet presidentit të Shqipërisë jam i bindur që njihet çdo qytetar i Shqipërisë.”

Në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës në Kosovë presidenti shqiptar ka vizituar edhe kuvendin komunal të Prishtinës, Akademinë e Shkencave të Arteve, ka takuar përfaqësues të biznesit dhe ka dhënë një konferencë për media.

Në këtë konferencë Topi lëshoi kritika të forta në adresë të Beogradit, i cili sipas tij qëndron prapa incidenteve që po ndodhin në veriun e Kosovës.

Megjithëkëtë ai tha se këto janë raste të izoluara dhe nuk do të arrijnë ta destabilizojnë vendin.

Bamir Topi: “Kosova në ’99-tën u çlirua, në vitin 2008 fitoi të drejtën për të qenë i lirë, sovran, i pavarur, demokratik mbi bazën e një politike të multietnicitetit. Kjo është një politikë moderne. Nuk është një politikë provokative që i takon një të kaluare. Njerëzit pavarësisht nga etnia të ndihen qytetarë të lirë në një vend të lirë, një vend që është i projektuar së bashku me vende të tjera të rajonit dhe i stimuluar nga partnerët kombëtarë dhe nga institucionet që të jemi pjesë e botës së përparuar”.

Pasdite presidenti shqiptar bashkë me delegacionin që e shoqëronte ka udhëtuar për Tiranë. Kjo ishte vizita e tij e dytë në Kosovë nga cilësia e presidentit të republikës së Shqipërisë./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki