Gazeta italiane “Corriere della Sera” shkruan se të mbjellat me kanabis në Shqipëri për vitin 2015 janë dyfishuar në krahasim me dy vite më parë, ndërsa prodhimi i marijuanës i kalon 1 mijë ton në vit.

Ajo i referohet një raporti vjetor të Guardia di Finanza-s, që monitoron prej 3 vitesh territorin shqiptar nga qielli. Sipas këtij raporti, në 2013 në territorin shqiptar janë evidentuar 305 fusha të mjella me marijuanë dhe më shumë se 81 mijë rrënjë. Në 2014-ën 815 fusha të mbjella dhe 165 mijë rrënjë, ndërsa kulmi arriti në 2015 ku u evidentuan 1200 fusha të mbjella me kanabis dhe mbi 240 mijë rrënjë.

Gazeta italiane shkruan se biznesi kriminal drejtohet në mënyrë të strukturuar, ndërsa përfitimet arrijnë në miliarda euro. Nëse më parë kryeqendra ndërkombëtare e prodhimit të marijuanës ishte Lazarati, tani situata ka ndryshuar, raporton “Corriere”, banda e narkotrafikut i kanë zhvendosur bazat e tyre në në zona më të vështirë për tu kontrolluar nga policia, ku veçohet ajo e Shkodrës.

Sipas gazetës, tonelatat e drogës së mbjellë në Shqipëri hyjnë në Itali përmes rajonit të Puljas, e cilësuar si portë hyrëse strategjike për në tregun europian.

“Corriere della Sera” shkruan se krahas autoriteteve italiane, skenarët e rinj të narkotrafikut monitorohen edhe nga SHBA-të.

Tv Klan