Rreth 1 muaj para sfidës së rëndësishme me Izarelin, Gianni De Biasi tregon objektivin edhe pse të vështirë. Shqipëria do të luajë më 11 qershor në Haifa për të fituar sfidën kualifikuese të Botërorit 2018.

Ndeshja e radhës me Izraelin është e vështirë duke parë kundërshtarin, por ne do të shkojmë për të marrë 3 pikët që na morën këtu.

Sezoni është drejt fundit dhe trajnerin e shqetëson forma e futbollistëve.

Më vështirëson punën për lojtarët të cilët nuk luajnë shumë, pastaj është fundi i sezonit dhe do të shohim gjendjen fizike të lojtarëve, por do  të jenë pak a shumë ata që kanë qenë pjesë e kualifikueseve deri më tani.

Kombëtarja do të nisë grumbullimin më 1 qershor në Luksemburg ku 3 ditë më pas do të zhvillojë miqësoren me përfaqësuesen vendase. Përgatitjet më pas do të zhvendosen në Turqi dhe për këtë De Biasi jep sqarimin.

Stërvitja në Turqi do të na ndihmojë për t’u përshtatur me klimën, pasi është deri diku e ngjashme me atë të Izraelit. Stërvitja atje do të na ndihmojë të përqendrohemi vetëm te ndeshja.

I pyetur nëse do të jetë në inaugurimin e stadiumit të ri, De Biasi dha një përgjigje pa zbuluar të ardhmen e tij në stolin e Kombëtares.

Nëse nuk do të jem, do të më ftoni të vij ta shoh.

Shqipëria ndodhet në një pozitë të vështirë në grupin e saj kualifikues, pasi vjen pas disa humbjesh radhazi dhe renditet në vendin e katërt./ TV KLAN