Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një amendament për ligjin e gjendjes civile, i propozuar nga dy deputetë të PBDNJ, ka sjellë një konfuzion të madh në Parlament. Amendamenti, që kërkon deklarimin e kombësisë për shtetasit shqiptarë në regjistrin e gjendjes civile, futi në një debat të gjatë deputetët e mazhorancës dhe opozitës nëse duhej përdorur termi kombësi, apo pakicë etnike siç propozoi opozita.

Më në fund ky propozim u hodh në votë, por pikërisht këtu ishte momenti që shkaktoi dhe një situatë qesharake, jo të zakonshme. Ishin dy votat e zëvendëskryeministrit Meta dhe Ministrit të Mbrojtjes Majko, që çuan në rezultatin 54 vota pro idesë së opozitës dhe 52 kundër të mazhorancës. Dhe nuk mbaroi këtu konfuzioni, pasi socialistët panë që kishin votuar disa deputetë demokratë jo të pranishëm në seancë.

Verifikim pas verifikimesh, kryetari i Kuvendit doli në konkluzionin se votimi me elektronikë nuk ishte i besueshëm dhe pas një rivotimi me kartonë, i kundërshtuar nga opozita, fitoi varianti i parë, me 11 vota plus. Duke parë se nuk ndikonin dot më në rezultat, zv/kryeministri Meta dhe ministri Majko, duke buzëqeshur abstenuan, por megjithatë nuk iu bashkuan votës kundër të mazhorancës, përfshirë edhe kryeministrin Nano./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço