Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gramoz Ruçi:- “Pozita është e gatshme, që s’i ta dojë aktin-normativ opozita, ne jemi gati ta miratojmë. Prandaj propozojë edhe njëherë, të ndërpritet këtu, të ftohet opozita në Byronë e Parlamentit, të ftohen përfaqësuesit e OSBE-ODHIR ta formulojnë, unë në emër të pozitës, angazhohemi që ne do ta votojmë si ta kërkojnë ata”.

Ky ka qenë qëndrimi i deputetëve të PS, pas dështimit të seancës parlamentare për votimin e aktit-normativ për prezencën e policisë në zgjedhje. Pas debateve të forta në komisione, deputetët demokrat, nuk kanë marrë pjesë në votime, duke bojkotuar seancën e sotme. I vetmi deputet i PD në sallë Bamir Topi, e konsideron aktin e qeverisë, si tendencë për manipulim në zgjedhje.

Bamir Topi:- “Kjo është një gjë totalisht e paramenduar dhe si e tillë e rëndon klimën politike, në prag të zgjedhjeve të pushtetit vendor dhe nuk është e rastit që zëri kontestues nuk vjen vetëm nga opozita, por vjen nga Presidenti i Republikës, vjen nga institucionet ndërkombëtare që bëjnë monitorimet këtu, vjen edhe nga KQZ. Jeni shumë të aftë, nuk manipuloni dy herë në të njëjtën mënyrë”.

Ndryshimet e fundit të bëra me një akt normativ të Këshillit të Ministrave, provokuan reagime të ashpra të opozitës, të cilët kanë kërkuar me insistim dhe nga Presidenti i Republikës, të kryejë rolin e garantit për procesin zgjedhor. Nga ana e tij, Ministri i Rendit Luan Rama ka shpjeguar sërish problemet teknike që krijon ligji i vjetër.

Luan Rama:- “Drejtori i përgjithshëm i policisë, me atributin që i jep ligji si drejtuesi më i lartë teknik i policisë së shtetit, ka kontaktuar me stafin e Presidentit të Republikës, i ka paraqitur argumentet ligjor dhe logjik, duke i kërkuar që të mos miratojë, të mos nënshkruhet ligjin nga ai, por t’i kthehet Kuvendit për t’i bërë ndryshimet e domosdoshme. Asnjë reagim, me logjikën që presidenti i kishte kthyer disa ligje në Kuvend dhe nuk shkonte të kthente dhe një ligj tjetër dhe për pasojë, ne vijmë sot në këtë situatë paradoksale, që me ligj i kërkojnë policisë së shtetit të garantojmë rendin dhe sigurinë publike për zgjedhjet”./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj