Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Këshilli i Rregullim Territorit të Republikës së Shqipërisë, e ka zhvilluar këtë herë mbledhjen e saj në qytetin e Vlorës, ku janë miratuar 13 studime urbanistike, ma së shumti për zonat turistike, pa lënë mënjanë edhe qendrën e Tiranës. Pas debateve të krijuara KRRTRSH, miratoi në parim sheshin e ndërtimit me sipërfaqe 32.3 hektarësh dhe lejen e ndërtimit për fshatin turistik në zonën turistike Lukovë-Kakome, me investitorë shoqërinë Riviera.

Sipas kësaj leje, përfaqësuesit e shoqërisë Riviera në përputhje me kodin civil dhe marrëdhëniet civile e tregtare, duhet të plotësojnë të gjithë procedurën e negociatave me pronarët që kanë dokumentacion legal dhe të depozituar në komisionin e kthimit dhe kompensimit të pronave të qarkut. Gjithashtu KRRTRSH vendosi pezullimin e punimeve për ndërtimin e një objekti 11 dhe 12 kate në rrugën “Urani Pano”, dhënë subjektit ndërtues “Alba Lam”, pasi bie në kundërshtim me studimin urbanistik të qendrës së Tiranës.

Gjithashtu është miratuar rregullorja për studimin urbanistik të qendrës së kryeqytetit duke pasur parasysh edhe këto vërejtje. Në rregullore duhet të jepen tregues për objektet shkollore, parashkollore, shëndetësore, tregje dhe ambiente të tjera publike. Duke parë situatën aktuale të zhvillimeve në territorin e parkut të madh të Tiranës, si dhe territore në kufij me të, nga ana e Institutit të Studimeve dhe bashkisë Tiranë është rishikuar vija kufizuese e parkut me qëllim lënien brenda kufijve të tij të atyre territoreve që realisht janë të mundshme të përdoren si territor parku.

Njëkohësisht në mbledhjen e KRRTRSH është miratuar dhe studimi urbanistik për qendrën e qytetit të Vlorës. Gjithashtu në këtë mbledhje është miratuar dhe projekti për zbatimin e rrugës Ura e Dajlanit – Plepa./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti