Shtohen akuzat në drejtim të kreut aktual demokristian Nard Ndoka. Sekretari i përgjithshëm i demokristianëve të shkëputur nga partia pak kohë më parë, tashmë nën drejtimin e Anton Gurakuqit paraqitën para mediave dokumentin e radhës të falsifikuar nga Ndoka.

Në këtë vërtetim drejtuar komisionit parlamentar për edukimin dhe mjetet e informimit publik, Ndoka deklaron se Frano Kulli, nënkryetar i këshillit kombëtar të Radiotelevizionit nuk është pjesë e Partisë Demokristiane, në një kohë që Kulli është zgjedhur nga Ndoka, kryetari i PDK-së Lezhë, duke shkelur kështu ligjin për Radiotelevizionin publik e privat në republikën e Shqipërisë.

Kol Tonaj: “Anëtarët e këshillit kombëtar të RTV-së nuk lejohen të jenë anëtarë të partive dhe shoqatave politike. Me shkresë me numër protokolli 99 të datës 22 tetor 2007, Nard Ndoka firmos se Frano Kulli është kryetar i degës Lezhë dhe me shkresë me datë 28 maj 2008, po Nard Ndoka firmos se Frano Kulli nuk ka qenë asnjëherë anëtarë i PDK-së.”

Demokristianët kanë kërkuar largimin e Ndokës nga posti i ministrit të Shëndetësisë, pasi ai po dëmton mazhin e qeverisë.

Kol Tonaj: “I bëjmë thirrje kryeministrit Berisha që sa më parë të marrë në konsideratë vendimin e kongresit të PDK-së për ta larguar nga posti i ministrit të Shëndetësisë këtë individ të papërgjegjshëm.”

Të gjitha faktet e mbledhura si falsifikime kundër Nard Ndokës do t’i paraqiten prokurorisë./tvklan.al