Dështojnë përpjekjet për një takim trepalësh në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiçit dhe ndërmjetësuesve europianë. 3 kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës për të takuar presidentin serb nuk u pranuan, duke sjellë edhe një tjetër raund bisedimesh pa përparim mes Kosovës dhe Serbisë në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. 

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës: Vetëm nënshkrimi i marrëveshjes bazike sjell sigurinë ligjore, juridike në njërën anë dhe anulon shkeljet e më hershme. Garancia e dytë është tërheqja e letrës së kryeministres Brnabiç sepse në atë letër ajo thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës dhe hyrja në OKB dhe integriteti territorial. Garancia tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiç dhe i bandës së tij terroriste autoriteteve të Kosovës.

Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se të dyja palët janë përgjegjëse për mospërmbushjen e asaj për çka janë zotuar.

Josep Borrell, shef i Politikës së Jashtme të BE-së: Asnjë hap nuk është ndërmarrë për themelimin e Asociacionit. Draft-statuti evropian që ofron një mënyrë moderne për tu marrë me këtë çështje. Nuk duhet harruar që procesi i normalizimit përparon shpejt nëse të dy palët dakordohen. Ne dhe SHBA-ja nuk mund ta duam më shumë normalizimin e marrëdhënieve sesa Kosova dhe Serbia. Sot patëm një takim tjetër. Diskutimet ishin siç pritej, të vështira si gjithmonë.

Para takimit, BE-ja ka prezantuar një propozim të ri që do të udhëzonte planin e zbatimit të marrëveshjes. Ndërkohë që gjatë ditëve të para të Korrikut dy kryenegociatorët e dy vendeve do të vijojnë të takohen për vijimin e këtij procesi.

Klan News