Qëndrimi për sistemin e ri zgjedhor ndan përfundimisht në dy grupime kampin opozitar. Kjo ndarje u konturua qartë në tryezën e dështuar të opozitës të thirrur nga kreu i Demokracisë Sociale Paskal Milo, për të diskutuar rreth kësaj çështje ku morën pjesë vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Aleanca Demokratike, ndërsa PS dhe PSD munguan.

I ashpër në fjalën e tij u shfaq kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, i cili tha, se sistemi zgjedhor i propozuar nga Partia Socialiste është anti-kombëtar.

Ilir Meta: “Që pas heqjes në mënyrë të padrejtë të kryeprokurorit Sollaku, ka rreshtuar kreun e Partisë Socialiste në një pozicion me zotin Berisha, jo thjesht për çështjen e reformës zgjedhore, por në përgjithësi për të gjithë modelin e qeverisjes në vend. Dje kam dëgjuar një deklaratë të padëgjuar më parë që sistemi zgjedhor nuk paska lidhje me qeverisjen, kjo është një nga gjërat më qesharake. Nuk do të barazojmë Edi Ramën me Partinë Socialiste, nuk do të barazojmë me lidershipin e Partisë Socialiste të kapur nga Sali Berisha.”

Edhe Milo e Ceka nuk qëndruan pas në akuzat e tyre kundrejt PS-së e sidomos kundër kreut të saj, Edi Rama.

Paskal Milo: “Do të vazhdojmë përpjekjet së bashku edhe me subjekte të tjera politike të së djathtës të cilat kanë të njëjtin qëndrim me ne dhe që ne shpresojmë që të gjithë së bashku do t’i themi ndal këtij grushti shteti institucional, elektoral, anti-kushtetues që dy partitë e mëdha politike po përpiqen të realizojnë.”

Neritan Ceka: “Ajo që po bëhet sot në komisionin e ligjeve nuk është veçse një Mukje, që bën pasardhësja e Partisë Komuniste Shqiptare sot, që është Partia Socialiste. Kjo është Mukja që i bëhet sot opozitës shqiptare.”

Edhe pse tryeza nuk ja ka arritur qëllimit, liderët e 3 partive të vogla opozitare kanë konkluduar në vendimin e tyre të disa javëve më parë, që të mbetet në fuqi sistemi zgjedhor aktual, por duke unifikuar votën e kandidatit me subjektin zgjedhor me qëllim shmangien e Dushkut./tvklan.al