Studentët e universitetit të Tiranës që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve sipas projektit të Bolonjës refuzojnë të marrin diplomën pasi ajo nuk specifikon titullin dhe emrin e fakultetit.

Në mbështetje të studentëve ka dalë edhe rektori i universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili shprehet se ky model diplome është hartuar nga Ministria e Arsimit pa marrë mendimin e senatit akademik dhe në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë, i cili cakton senatin si organ kompetent për hartimin e modelit të diplomës.

Dhori Kule: “Në datën 14 Korrik na përcillet udhëzimi i ministrit duke tejkaluar kompetencat ligjore për mendimin tonë, përcaktohet forma dhe përmbajtja e diplomave të nivelit të parë dhe të nivelit të dytë në të gjithë modalitetet e veta. Natyrshëm studenti në përfundim të studimeve duhet t’i ketë përcaktuara dhe të shprehura në diplomën e vet elementët e tillë që tregojnë se çfarë ai ka mbaruar dhe po të shikoni formatin e diplomës që ka miratuar senati i universitetit të Tiranës i ka të parashikuara dhe të përcaktuara të gjithë këto elemente.”

Përballë këtij problemi rektori i universitetit të Tiranës thotë se ky problem mund të zgjidhet me një ndryshim në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit.

Dhori Kule: “Ky lloj shqetësimi mund të zgjidhet shumë kollaj në kushtet kur nga ana e Ministrisë së Arsimit bëhet ky korrigjim i një pike të udhëzimit përkatës dhe të zbatohet ligji se të miratohet ajo që senati i universitetit të Tiranës ka vendosur si të tillë”.

Ky model diplome i nivelit të parë i kundërshtuar nga studentët është i njëjtë për të gjitha universitetet shtetërore./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami