Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Zjarrfikës, u organizua një ceremoni në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla vlerësoi kontributin e tyre dhe tha se ndihej krenar për nivelin e përgatitjes pasi kishte ndjekur nga afër verën e kaluar dhjetëra raste ndërhyrjesh për shuarjen e zjarreve, por pranoi se në vite nuk është bërë sa duhet për këtë shërbim, për trajtimin dinjitoz.

Taulant Balla, Ministër i Brendshëm: Mendoj që kemi filluar tashmë të çelim një etapë të re në mënyrën se si duhet trajtuar ky shërbim i cili ka hy në një fazë tjetër transformimi, por unë mendoj se po çelim një fazë të re sa i përket edhe trajtimit të duhur financiar të punonjësve të shërbimit zjarrfikës dhe të shpëtimit.

Në prag të sezonit turistik, e sezonit të zjarreve gjithashtu, që vijnë prej temperaturave të larta në verë, Ministri tha angazhimi është i plotë, e bashkë me të edhe eksperienca.

Taulant Balla, Ministër i Brendshëm: E kjo dita e juaj ndërkombëtare lidhet pikërisht me fillimin e sezonit të ri turistik, por edhe me sezonin e ri të zjarreve. Shërbimi ynë zjarrfikës në 61 bashkitë e vendit së bashku me agjencitë e emergjencave, kemi burra, djem të angazhuar fuqimisht.

Të ftuarit ndoqën disa ushtrime të ndërhyrjes, të përgatitura nga trupa e shërbimit zjarrfikës. Përgjatë sezonit turistik, Shërbimi Zjarrfikës, Policia e Shtetit dhe Urgjenca do të operojnë me një Trupë të Ndërhyrjes Teknike në disa pika të nxehta dhe të populluara, për të qenë në gatishmëri në raste emergjencash.

Klan News