Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas kontrollit të ushtruar në fundjavë tek “Rozafa Palace”, një nga vendet e reja të argëtimit në kryeqytet, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Lojërave të Fatit, ka vendosur gjoba dhe sanksione ndaj subjektit privat. Sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Financave, pas kontrollit të ushtruar në ambientet e Rozafa Palace, janë gjetur 19 makina elektronike të paregjistruara, të cilat ishin instaluar pa lejen e organit tatimor.   

Gjithashtu, ky subjekt, në kundërshtim me disa nene të ligjit për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet, kanë instaluar pajise, ku luhen lojëra blackjack dhe poker, si edhe nuk ka vendosur në dispozicion të organeve të kontrollit, dokumentacionin, si për lojërat dhe për bizhuteritë që shiteshin brenda ambienteve.  

Për këtë arsye, komiteti i lojërave të fatit, ka gjobitur subjektin “Rozafa Palace” me një shumë prej 350 mijë dollarësh, si dhe i ka kërkuar të rinovojë lejen për lojërat e fatit dhe ato elektronike. Burime zyrtare të Ministrisë së Financave pohojnë, se kontrolle të tilla për vendoje gjobash dhe sanksionesh kanë përfshirë edhe disa subjekte të tjera jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës.

Ministria e Financave shprehet, se këto kontrolle do të vazhdojnë si për  verifikimin e shlyerjes së detyrimeve tatimore, ashtu edhe për deklarimin e origjinës së mallit./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja