Lajme Arkiva 2003

Pronarët e radiove dhe televizioneve shqiptare janë mbledhur në një takim të organizuar nga OSBE dhe Instituti Shqiptar i Mediave. Kodi zgjedhor dhe dispozita e kodit zgjedhor kanë qenë në qendër të këtij takimi i cili është karakterizuar nga debatet, drejtori i televizionit Klan Aleksandër Frangaj, ka replikuar ashpër lidhur me sanksionet e mëdha që parashikon kodi i ri zgjedhor ndaj mediave elektronike gjatë fushatës zgjedhore.

Aleksandër Frangaj: Unë jam i shqetësuar me kodin zgjedhor të miratuar nga parlamenti shqiptar dhe të ideuar nuk e di nga kush, për pjesën e detyrimit dhe pjesën e monitorimit të medias nga ana e KQZ-së. Po të shikoni ligjin, kodi i jep disa atribute KQZ-së të sillet si polici e medias, sepse i jep të drejtën të monitoroj, të numëroj minutazhin, i jep të drejtën të vendosë gjoba shumë të larta deri në 25 milionë lekë të vjetra, qoftë edhe për një minutë mosbalancë. Balanca elektorale nuk mund të matet me sekonda. Sigurisht nuk lejohet që të ketë diferenca të mëdha, por gazetari  nuk mund të rri ta bëjë kronikën duke numëruar sekondat se pastaj nuk bën më gazetari, nuk bën më raportim. Ky ligj, pjellë e deputetëve Ruka dhe Gjana është miratuar nga parlamenti pa komunikuar më parë me asnjë institucion mediatik dhe duke mos pranuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Sipas drejtorit të televizionit Klan Frangaj, ky ligj është hartuar totalisht në funksion të interesave të dy partive të mëdha, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Përfaqësuesi i OSBE-së Lipponen pas vërejtjeve është shprehur se nuk ka qenë ai ideator i kodit i cili parashikon sanksione kaq të ashpra ndaj medias shqiptare. Sipas tij, përgjegjës kryesor për të janë komisioni bipartizan dhe parlamenti./tvklan.al