Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pasi kanë parë disa nga plazhet dhe qendrat turistike në Mesdhe, 250 turistë nga Britania dhe Gjermania, kanë zbarkuar dhe në portin e lashtë të Durrësit, për një guidë njëditore. Kanë zbritur nga anija dhe janë ndarë në grupe, disa prej tyre kanë zgjedhur të vizitojnë kryeqytetin shqiptar, ndërsa të tjerë qytetin tradicional të Krujës.

Por fillimisht janë ndalur në rrënojat antike të amfiteatrit në Durrës, me kuriozitet dëgjojnë për lashtësinë, për betejat me gladiatorë dhe perandorët e parë të qytetit. Amfiteatri u duket interesant, por nuk harrojnë dhe të pyesin dhe për shtëpitë në rrënoja dhe për kujdesin e pakët për mbajtjen e zonës arkeologjike.

Shqipërinë e tregojnë se kanë njohur vetëm nëpërmjet lajmeve televizive dhe gazetave, por sot ndodhen këtu për të shijuar një ditë të ngrohtë Maji, në disa nga vendet më të zgjedhura pranë Durrësit. Një nga drejtuesit e agjencisë turistike, që po merret, me vizitën e tyre në Shqipëri, tregon se tashmë ekzistojnë kushte dhe ambiente për të pritur edhe turistë që vijnë nga larg, por problemi më i madh është t’i bindësh ata për të shkelur në vendin tonë.

Vetëm pak kilometra larg portit ku zbarkoi anija me turistë të huaj, plazhi më i zgjeruar në vend pritet të fillojë një sezon të ri veror. Dita e parë e Majit dhe temperatura e ngrohtë, ka bërë që më të guximshmit të fillojnë banjot e diellit. Dhe këtë vit, thuhet se Shqipëria turistike po bëhet gati të presë me mijëra turistë nga Kosova dhe Maqedonia.

Një vit më parë pushuesit nga këto vende krijuan një fluks të madh në Durrës apo në qytete të tjera, si Shëngjini dhe Saranda. Po kushtet higjenike të Durrësit edhe këtë vit janë po njësojë si dhe një vit më parë. Por më problematike gjendjen në plazhin e Durrësit e bëjnë kanalet e ujërave të zeza, që derdhen në det.

Të tjera grumbullime hedhurinash po krijohen pranë disa godinave që një vit më parë shërbenin si lokale dhe hotele. Policia ndërtimore e Durrësit, ka bërë prishjen e tyre, por nuk ka marr masa për heqjen e materialeve të ndërtimit nga rëra e plazhit. Gjithçka është lënë kështu në formën e rrënojës, duke krijuar dhe të tjera probleme për ata që pritet të frekuentojnë Durrësin këtë vit./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj