Dikur një zonë ekskluzive për durrsakët, plazhi i njohur si “Porti i Gjermanit” po shndërrohet në një atraksion të njohur edhe për turistët.

Këta dy të rinj nga Gjermania kanë vendosur çadrën e tyre të kampingut këtu.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Jam nga Gjermania, isha në Turqi dhe tani erdha për pushime këtu. Vendi është fantastik kam ardhur bashkë me miqtë,” tha një turist.

“Për pushime është një vend i mrekullueshëm. Qyteti është i bukur nuk të ofron vetëm detin, por edhe atraksione të tjera që mund të mësosh, si historinë,” shtoi një tjetër turist.

Natyra e bukur dhe freskia e detit ka tërhequr edhe këtë turiste.

“Unë e dashuroj këtë vend, më shumë se sa ushqimin vlerësoj faktin që njerëzit këtu janë shumë miqësorë dhe mikpritës. Sa i përket çmimeve ato janë shumë herë më të lira se nga vendi ku unë vij,” u shpreh turistja.

Plazhi është i qetë dhe veçanërisht i përshtatshëm për fëmijë dhe familjarë.

“Vijmë këtu pasi është qetësi dhe çmimet janë të leverdishme. Vijmë çdo vit te “Porti i Gjermanit”, ditën e martë që e kemi pushim vij bashkë me bashkëshorten,” tha një pushues nga Tirana.

Uji i kaltër dhe shkëmbinjtë përreth ofrojnë një pamje qetësuese.

Një barrierë e gjatë rreth 50 metra nga bregu e bën këtë vend ideal edhe për peshkim.

“Sa herë që vij nga Itali ose me pushkë ose kallam. Sot me qenë se është dita po peshkoj me kallam,” tha një qytetar.

Zona ofron restorante dhe kafene me shërbime të shkëlqyera për vizitorët. Ka edhe një mol për skafe dhe anije turistike që ofrojnë guida të ndryshme.

Rruga që të çon tek “Porti i Gjermanit” është e shtruar dhe lehtësisht e kalueshme për vizitorët. Për shkak të distancës së afërt me qytetin, ky vend është lehtësisht i arritshëm jo vetëm me automjet por edhe me biçikletë apo në këmbë.

Klan News