Vllaznia ka fituar kupën e Shqipërisë pas 21 vjetësh, duke mundur 2-0 Tiranën në finalen e zhvilluar në Elbasan. Kjo është kupa e 6 për skuadrën më të vjetër në Shqipëri dhe trofeu i 4 për trajnerin Dervis Hadziosmanovic, trofe që u dorëzua nga presidenti i Republikës Bamir Topi.

Dervis Hadziosmanovic: “I përgëzoj tifozët për mbështetjen, jam shumë i gëzuar për këtë trofe. Sa për qëndrimin tim tek Vllaznia dëshira është e madhe, por do të shohim në të ardhmen.”

Armir Grimaj: “Fantastike është për të gjithë popullin e Shkodrës, është për të gjithë ata që na duan, është edhe për Sinanin që ka munguar sot.”

Valter Fushaj: “Normalisht nuk tremb kupa UEFA, do ta provojmë me të gjitha forcat tona, do të ketë edhe përforcime do të mundohemi të bëjmë më të mirën.”

Sfida finale u zotërua më shumë nga Vllaznia e cila kaloi në avantazh vetëm pas 3 minutash lojë me anë të Gilman Likës. Rastet pas golit të pësuar u shpeshtuan për të dy ekipet, por kanë qenë përsëri lojtarët shkodranë që shënojnë një gol të përkryer me Xhevahir Sukaj.

Trajneri Sulejman Mema futi në lojë në pjesën e dytë Arapin, Hajdarin dhe Gjoreskin në vend të Sinës, Vrapit dhe Duros, por asnjë rezultat. Bardh e blutë qarkulluan më shumë topin, por mburoja hermetike e Vllaznisë nuk depërtohej lehtë.

Minutat e fundit Tirana u luajti me 10 lojtarë, pas daljes me të dytin të verdhë të francezit Muhelebi. Ky sukses i siguron Vallznisë një vend në eliminatore të kupës UEFA, ndërsa Tirana duhet e renditet e treta në kampionat që të luaj në aktivitetet evropiane. Festa vijoi edhe Tiranë ku ekipi i përgëzua nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe