Lajme Arkiva – TV Klan 2003

42 familjet e shpërngulura të fshatit Cërrunj, në komunën e Funarit në Elbasan, kanë përfituar dëmshpërblimin nga qeveria. 30.5 milion lekë është ndihma financiare, e cila do të merret nga banorët e fshatrave të komunës, ku pak muaj më parë humbën shtëpitë e tyre nga rrëshqitja e tokës.  

Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit Ben Blushi, iu komunikoi banorëve vendimin si edhe theksoi kushtin që ka vënë qeveria për lëvrimin e parave, mos ndërtimin e shtëpive të reja në zonën ku ndodhi fatkeqësia. Ai u shpreh se ky vendim është i rëndësishëm pasi në vend ndodhen edhe 2800 familje të tjera me të njëjtin shqetësim.

Prej shumë vitesh, në komunën Funar, 30 km larg Elbasanit, ka pasur rrëshqitje toke me pasojë viktima në njerëz, si edhe janë shkatërruar në periudha të ndryshme objekte të banimit dhe publike. Banorët në mënyrë të vazhdueshme kanë ndërtuar në atë zonë, që njihet edhe si më pjellorja në bujqësi dhe blegtori, por vendimi i qeverisë është taksativ, pasi do të lejojë ndërtime të reja vetëm jashtë zonës ekzistuese të rrëshqitjeve në Funar./tvklan.al