Projektligji për emigracionin klandestin në Itali është kritikuar ashpër nga autoritetet me të larta të komunitetit ndërkombëtar. Një ditë më parë, gjatë një interviste për të përditshmen italiane Corriere Dela Serra presidenti i KE Jose Manuel Barroso ka kërkuar dënim për ata që shfrytëzojnë klandestinët duke i konsideruar si viktima. 

Në këtë linjë ai tha se vendime të tilla, si projektligji italian, i përkasin individualisht vendeve, por për Barroson fajtorët e vërtetë mbeten punëdhënësit. Sipas presidenti të KE receta e duhur për këtë plagë që prek çdo shoqëri është një politikë e përbashkët e bllokut.

Barroso vuri theksin te ekzistenca e ksenofobisë si një dukuri shumë e pranishme e cila po dobëson integrimin në komunitet. Ndërkaq në Strasburg deputetët evropianë kanë votuar një projektligj i cili harmonizon rregullat e dëbimit të  të huajve pa dokumente, por dukuria e emigracionit i tejkalon kufijtë europian.

Agjencia e kombeve të bashkuara për refugjatët deklaron se numri i tyre në botë është rritur. Sipas raportit të kësaj agjencie konfliktet në Irak dhe Afganistan janë burimi kryesor i refugjatëve në botë. Në raport thuhet gjithashtu se 26 milion njerëz u shpërngulën vitin e kaluar brenda vendeve të tyre si rezultat i konfliktit dhe persekutimit./tvklan.al