Sllovenia, vendi që drejton Bashkimin Evropian aktualisht do ta mbështesë në mënyrë absolute Shqipërinë për të kërkuar kandidaturën pranë BE-së.

Arta Tozaj: “Por me gjithë dëshirën e mirë ministri slloven Dimitrij Rupel shprehet se një gjë e tillë teknikisht është e pamundur që të mbyllet brenda mandatit të presidencës sllovene e cila përfundon në 30 qershor.

Dimitrij Rupel: “Sllovenia mbështet Shqipërinë, por paraqitja e kandidaturës është një procedurë e gjatë dhe komplekse. Merr ca kohë ky proces dhe nuk mund të mbyllet brenda presidencës tonë, jam pothuajse i sigurt thotë ministri Rupel.”

Nëse Shqipëria do të paraqiste kërkesën e saj me qëllim statusin kandidat pranë vendeve anëtare gjatë kësaj jave, atëherë samiti i qershorit të krerëve të shteteve evropiane do të shprehte mesazh pozitiv për Shqipërinë për këtë ambicie.

Ndërkohë që komisioni evropian në raportin e nëntorit do të përcillte dhe rekomandimin e tij ndaj këshillit evropian për të miratuar apo jo këtë kërkesë pas shqyrtimit të kritereve të Kopenhagenit. E në këtë pjesë Shqipëria nuk paraqet tablo më të rëndomtë se sa ajo e fqinjës së saj.

Maqedonia aplikoi më 22 mars 2004 dhe në raport komisioni u shpreh se për kriterin politik, Maqedonia kishte probleme me procesin elektoral, reformimet gjyqësore e policore, si dhe luftën ndaj korrupsionit.

Për kriterin ekonomik komisioni vlerësoi se tregu maqedonas nuk ishte ende gati të përballonte hyrjen në BE. Probleme me regjistrimin e pronave dhe informalitet, ndërkohë që kriteri i 3 i Kopenhagenit nuk ishte përmbushur. Por i rekomandoi vendeve anëtare të miratonin këtë kërkesë të Maqedonisë, Këshilli Evropian i dha statusin kandidat Maqedonisë një muaj më pas.

Burime nga presidenca sllovene bëjnë të ditur se mungesa e ambicies nga pala shqiptare nuk vlerësohet pozitivisht në këshillin e vendeve Evropiane. Shqipëria ka ecur mirë pa shkaktuar destabilitet në vend apo rajon, ndaj është momenti i duhur për aplikim nisur nga roli pozitiv që pritet të luajë Franca gjatë presidencës së saj në BE citojnë të njëjtat burime./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj