Rrugëtimi i Denisës dhe Valentinës që u bë publik më 12 qershor 2022 në “Shihemi në Gjyq” nisi me lot dhimbjeje e dëshpërimi, por tashmë janë shndërruar në gëzim e mirënjohje. Falë ndihmës së shumë njerëzve, gjithçka përfundon aty ku nisi, në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

Veç ndihmës së pakursyer nga Eni Çobani, një bamirëse pagoi borxhin e Denisës ndaj shtëpisë funerale duke i mundësuar dokumentacionin për përfitimin e pensionit të invaliditetit. Kunata e saj i ka dhënë 5 milionë lekët që i takonin, ndërsa shumë njerëz të tjerë kanë dhënë ndihmën e tyre për operacionin e Meklinit të vogël.

Dhe sigurisht, në këtë fund të bukur të kësaj çështjeje, Meklini i surprizoi të gjithë me ardhjen e tij  në studio. Me një buqetë për Eni Çobanin dhe një dhuratë të përgatitur enkas për të, ai i dorëzon edhe një letër të shkruar me shumë dashuri nga qendra e autizmit ku trajtohet.

“Nga yjet më të bukur në botë për lulen më të bukur në botë, thirra me kaq dashuri dhe sjellim sot aromën e luleve të Pogradecit si një parfum magjik nga ‘Autizmi flet!’ Shumë faleminderit!”, lexoi mes emocionesh Eni Çobani.

Meklini pati gjithashtu edhe një fjalë për ndërmjetësen.

Meklin: Faleminderit për gjithçka Enit!

Eni Çobani: O zemra ime! Eni të do shumë, e di që të dua shumë apo jo?

Meklin: E di!

Eni Çobani: Zemra ime! Për Meklinin! Për Meklinin do të bëjmë çdo sakrificë!/tvklan.al