Ndeshja mes Anglisë dhe Zvicrës në çerekfinalen e Europianit, ishte e fundit në arbitrim për gjyqtarin italian, Daniele Orsato.

48-vjeçari kishte njoftuar më herët se do të tërhiqej nga arbitrimi dhe Europiani i kësaj vere do të ishte i fundit.

Megjithatë, italiani shpresonte që karrierën e tij, ta mbyllte duke vendosur drejtësi në finalen e madhe të Euro 2024, diçka që nuk do të ndodhë.

Orsato është njoftuar se ka mbetur jashtë gare dhe nuk është mes kandidatëve për finalen. Për këtë arsye, arbitri u kthye të dielën në Itali.

Favoriti për të gjykuar finalen e Europianit, është polaku Szymon Marciniak. Një zgjedhje interesante kjo, duke ditur që 43-vjeçari, ka qenë pjesë e disa polemikave në sezonin e fundit, përfshirë këtu ndeshjen gjysmëfinale mes Real Madrid dhe Bayern Munich.

Kandidatë të tjerë janë edhe anglezi Michael Oliver dhe francezi Francois Letexier. Megjithatë, gjithçka varet nga ekipet që do të kualifikohen në finale, pasi në rast të një Angli-Francë, dy alternativat e fundit do të binin automatikisht. /tvklan.al