Ish-futbollisti legjendar Alessandro Del Piero dha një intervistë për Tv Klan ku vlerësoi Kombëtaren e Shqipërisë.

Gazetari Glendi Tafaj: Ne mundëm të marrim një intervistë të shkurtër me Alessandro Del Piero, ishte e vështirë ta kontaktonim pasi është opinionist i “SKY” në Itali dhe nuk mund të flasë gjatë për mediat e tjera.

Del Piero për TV Klan: Dua të përshëndes të gjithë tifozët shqiptarë. Mu desh të bëja shumë rrugë në këmbë dhe i takova. Është bukur të sfidohemi në një kompeticion kaq të rëndësishëm dhe shpresoj që të kualifikohemi bashkë për më tej. Shqipëria është rritur shumë në të gjitha aspektet. Ka shumë lojtarë që luajnë në Itali. Unë jam i lidhur pak me gjeneratën e vjetër, kishit këtu dhe Igli Taren. Nuk mund të them vetëm një lojtar që më pëlqen nga Shqipëria sepse forca e grupit është më e rëndësishme këtu. Nëse Italia do ta fitonte sërish europianin do të ishte diçka e bukur dhe e çmendur. Vetëm Spanja e ka fituar europianin dy herë rresht. Është e vështirë që të kalosh thjesht grupin këtë vit, imagjino të fitosh Europianin.

Gazetari Glendi Tafaj në një lidhje direkte në emisionin EUROZONE tha se është takuar dhe ka biseduar me ish-futbollistin dhe komentatorin e njohur sportiv italian Daniele Adani. Sipas Tafajt Adani vlerësoi shumë kombëtaren e Shqipërisë dhe tha se mund të bëjë më shumë se kaq.

Gjithashtu Tafaj informoi se lojtarëve të kombëtarës u dhënë leja për të takuar familjarët në ditën e sotme.