Mynihu do të jetë dëshmitar i finalistit të parë të Kampionatit Europian 2024. Spanja dhe Franca do të tregojnë të gjithë potencialin e tyre në këtë 90 minutësh tepër të rivalizuar përgjatë historisë së futbollit të luajtur. 

Çuditërisht, Franca gjendet në katërshen e më të mirave të kompeticionit edhe pse asnjë prej futbollistëve të saj nuk ka shënuar në aksion të rrjedhshëm. Tekniku Deschamps pranon forcën e Spanjës, ndërsa për ngërçin para portës, e rëndësishme sipas tij janë emocionet edhe kënaqësia që përjetojnë tifozët.

“Spanja ka potencial sulmues, por mesfusha është gjithashtu forca e kësaj skuadre. Është i  gjithë ky ekip që ka bërë mirë që nga  fillimi i kompeticionit dhe ka lënë përshtypjen më të mirë pothuajse tek të gjithë. Është një Europian i veçantë për të gjithë, me një numër më të vogël golash se në të kaluarën. Ne kemi aftësinë të ndajmë emocione, t’i bëjmë francezët të lumtur me rezultatet tona”.

Deri më tani, Franca ka fituar 3 takime dhe barazuar 2 për të shkuar deri në gjysmëfinalen e kompeticionit. Skuadrat janë përballur me njëra-tjetrën në 36 raste, ku secila ka marrë fitore të rëndësishme në Kampionatin Evropian të UEFA-s.

Franca mposhti Spanjën në rrugën e saj për të fituar trofeun në 1984 në finalen në vitin 2000. Spanja ka fituar 16 nga 36 sfidat, me Francën që ka triumfuar në 13 ndeshje dhe barazuar 7. Edhe golat flasin në favor të iberikëve, me 64 gola kundrejt 39 të “gjelave”.

Klan News