Për herë të parë në karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme, Cristiano Ronaldo largohet nga një turne i madh ndërkombëtar pa shënuar asnjë gol.  Eliminimi nga Euro2024 nuk shijon aspak për 39-vjeçarin, i cili luajti kompeticionin e 11-të në histori mes Europianit dhe Kupës së Botës.

Gjithçka e nisur 20 vite më parë, në atë Europian të vitit 2004, turne që për pak sa nuk e fitoi, duke dështuar vetëm në finalen ndaj Greqisë. Mes Botërorit dhe Europianit, Ronaldo ka shënuar të paktën 1 gol. Por në Gjermani dështoi të tund rrjetën në lojën e rregullt edhe pse tentoi portën në 24 raste, pasi ruleta ruse e penalltive nuk vlen për renditjen e golashënuesve.

Euro2024 mund të konsiderohet edhe si i fundit kompeticion Europian për Ronaldon, pasi edhe mosha nuk ia lejon diçka të tillë. Humbja e së premtes kundër Francës ishte ndeshja e 212 me Portugalinë, nga ku ka shënuar 130 gola, 14 prej të cilëve në Europian, askush më mirë se ai.

Në 6 pjesëmarrjet e tij, ai ka fituar vetëm një herë, pikërisht atë të vitit 2016 kundër Francës. Nëse shtohen golat e tij në kualifikueset e Europianit, Ronaldo ka shënuar 55 herë, teksa në 22 ndeshjet e tij në Botëror 8 gola në 5 turne.

Një karrierë e jashtëzakonshme, e vlerësuar dhe nga pesë çmime të Topit të Artë nuk ka përfunduar ende, sigurisht jo në nivel klubi, me Ronaldon që ka edhe një vit kontratë me Al Naswr.

Klan News