Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Fakulteti i Ekonomikut çeli i pari dyert për konkurset e pranimit në shkollat e larta. 2760 konkurrentë nga gjithë vendi kishin në dispozicion 4 orë për të zgjidhur tezën e konkursit. Konkurrentët u ndanë në dy godina, përkatësisht 1020 veta në Pallatin e Kongreseve, ndërsa 1740 të tjerë u shpërndanë në klasat e fakultetit të Ekonomikut.

Shpërndarja e tezave në orën 10:15 u pasua nga verifikimi i dokumenteve të konkurrentëve dhe sekretimi i tyre. Këtë vit në Fakultetin e Ekonomikut garuan 150 vetë më shumë se një vit më parë. Për nivelin e konkurrentëve dekani Dhori Kule vëren.

Dhori Kule:- “Interesi është shumë sivjet. Me mesataret e prezantuara tregon që ka ardhur një cilësi jashtëzakonisht e mirë, vetëm me mesatare 10 absolute janë 60 kandidatë. Te shpërndarë me një gjeografi normale, nga këto 60 rreth 22 ishin nga Tirana”.

Emocionet nuk kanë munguar si tek konkurrentët ashtu edhe tek prindërit, të cilët kanë pritur derisa fëmijët e tyre të mbaronin konkurrimin. Gjithçka ka përfunduar në orën 14:15 minuta. Menjëherë pas dorëzimit të tezës konkurrentët tregojnë se po të kesh mësuar teza nuk ishte e vështirë. Brenda tri ditëve pritet të përfundojë korrigjimi i tezave dhe të dalin rezultatet./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini