Vetëm dy ditë përpara 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit familjarët, të cilët kanë humbur të afërmit e tyre në shpërthimin e punishtes së demontimit të armëve, kanë kërkuar zgjedhje të plotë të problemeve të tyre në mënyrë që të eliminohen përfundimisht pasojat e rënda që kanë ndodhur.

Banorët kanë kërkuar dhe partive politike të mos i politizojnë problemet e tyre dhe mos ta përdorin këtë fatkeqësi për fushata elektorale.

“Ndërkohë ne i kërkojmë partive, shoqatave dhe individëve të ndryshëm që të mos politizojnë hallet dhe problemet tona sepse nuk bëjnë gjë tjetër veçse e vështirësojnë zgjidhjen e tyre. Nesër kemi përvjetorin e njerëzve që humbëm në Gërdec. Që me datë 15 nuk na lanë partitë politike të bëjmë përvjetorin me datën 15 që mbush një vit. Që me datë 15 në orën 12 e ka LSI-ja, në orën 1 e ka Partia Socialiste”.

“Nga tragjedia e Gërdecit kam humbur bashkëshortin dhe sot mbas një viti kërkojmë premtimin që na bëri qeveria, pensionin e përhershëm, të ushqejmë fëmijët dhe t’i rrisim, dëmshpërblimin dhe puna e parë fare të dalin fajtorët”.

Ditën e shtunë në datën 14 Mars banorët e Gërdecit që kanë humbur familjarët e tyre në këtë tragjedi do të shkojnë të bëjnë homazhe pranë kraterit të shpërthimit./tvklan.al