Faktet e publikuara në media në lidhje me përfshirjen e botuesit të gazetës 55 Fahri Balliu, si ortak me ish pronarin e kompanisë Alba Demil, Mihal Delijorgji ndezën debate të ashpra në kuvend. Opozita akuzoi maxhorancën qeverisëse si të përfshirë në afera qe e implikojnë në tragjedinë e Gërdecit, dhe ftoi kryetaren e kuvendit që këto fakte te publikuara ti çojë në organin e akuzës.

Taulant Balla: “Shtypi dhe prokuroria kanë thënë që këshilltari kryesor i Sali Berishës, politikani dhe mendja e zgjuar, eminenca gri e Sali Berishës, janë thjesht njeriu i lidhur drejtpërdrejt me Delijorgjin. Zonja Topalli do të të lë këtu 2 kontrata themelimi dhe vendime gjykate që implikojnë drejtpërsëdrejti Sali Berishën përmes, kësaj radhe sekserit të vet shqiptar Fahri Balliut, lidhjen e drejtpërdrejt të Sali Berishës, së djalit të tij me çështjen më makabër që ka prekur ndonjëherë shqiptarët, çështjen e Gërdecit.”

Jozefina Topalli: “Meqë mu drejtove mua, do i përsërisësh edhe një herë kryetarit që ka të paktën të regjistruar 200 telefonata me Delijorgjin, ka një tjetër këtu që ka 800 telefonata, ja u kam kursye emrin deri tani, dakord është pak më3 andej. Do pyesësh kryetarin pse nuk ja përmend emrin Delijorgjit. Do i thuash kryetarit pse i ka dhënë 30 leje ndërtimi Delijorgjit. Do i thuash kryetarit pse nuk ja heq lejet e ndërtimi Delijorgjit. Me kë ishte në Kretë, Delijorgji dhe kujt ja pagoi lejen në Kretë.”

Debatet që përfshinë maxhorancën dhe opozitën në seancën plenare të paradites vijnë pas akuzave të ngritura në media që  implikojnë të bijën e botuesit Fahri Balliu si ortake të 20% të aksioneve të kompanisë TDC, përfaqësues i të cilës është dhe i akuzuar si përgjegjësi kryesor i tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgji./tvklan.al