Fatos Nano: Akti politik i grupit të deputetëve tanë që bashkuan votat me opozitën është një shkelje e qartë dhe e rëndë për shkak se është e përsëritur, e këtij vullneti të certifikuar politik dhe në fjalorin politik modern të demokracive parlamentare konsiderohet  asgjë më pak dhe asgjë më shumë se sa një puç i pastër pallati. I vetmi precedent që më rikujton kjo ngjarje është puçi i dështuar i 14 shtatorit 1998, ku pothuajse të njëjtët individë duke abuzuar me mandatin përfaqësues në nivele drejtuese të shtetit të kuvendit apo qeverisë, bashkëvepruan me opozitën violente të Berishës me banda dhe kriminelë e trafikantë që janë likuiduar dhe që janë përpara drejtësisë pas 6 vitesh qeverisje të suksesshme të socialistëve. Votimi i sotëm në kuvend është produkt i kulisave që udhëhiqen nga interesa trafiqesh dhe interesa personale të ngushta. Bashkimi i votave të disa përfaqësuesve socialist me Berishën për arsye amorale, jo parimore. Nuk mund të jetë më thjesht dhe vetëm aleancë fluide, por është koalicion i qartë dhe i rrezikshëm për mazhorancën legjitime, demokracinë në tërësi, stabilitetin e institucioneve dhe të Shqipërisë në procesin e integrimit./tvklan.al