Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Atje është vendi ku vashat kërcejnë si shqiponjat dhe dashuria për muzikën është një traditë e vjetër. Bajram Curri, qyteti i largët verior, priti këto ditë për tre netë rresht, përfaqësuesit e folkut shqiptar nga veriu i Shqipërisë, Kosova e Diaspora.

Aktiviteti “Sofra Dardane”, si i vetmi festival që zhvillohet në krahinat e veriut, besohet të jetë e përvitshme. Në edicionin e dytë të këtij festivali ishin të pranishëm 10 grupe nga Shqipëria, si dhe 14 grupe nga Mali i Zi, por nuk kanë munguar dhe grupe nga jugu i vendit. Të pranishëm në natën finale ishin Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Blendi Klosi, homologu i tij në Kosovë Bexhet Brahushaj, si dhe nismëtari i kësaj sofre deputeti i Partisë Demokratike për Bajram Currin Azgan Haklaj.

Në këtë festival ra në sy jo vetëm rindezja e traditës së vjetër artistike të këtyre trevave, por edhe ringjallja e dëshirës së tropojanëve për aktivitete kulturore. Zhurmat dhe pasiguritë që e kanë karakterizuar këtë qytet prej kohësh, u shndërrua në disa orë në gëzim dhe hare.

Gazetarja: Zoti Klosi, a mendoni se gjallërimi i jetës kulturore në Tropojë, do t’i sjelli Tropojës jo vetëm aktivitete më shumë, por dhe më shumë qetësi?

Blendi Klosi: “Për mua si ministër ishte shumë e rëndësishme që ky aktivitet të zhvillohet në Tropojë, duke treguar edhe njëherë, që aty ku është e vështirë të hyet me politikën apo me veprime të tjera, nëpërmjet muzikës dhe folklorit mund të arrihet çdo gjë”.

Të njëjtin mendim ndanë dhe Ministri i Kulturës së Kosovës, i cili tha për TV Klan, se bashkëpunimi do të jetë ende më i frytshëm në vazhdimësi.

Bexhet Brahushaj: “Unë mendoj se është një diçka e mirë që shkon në funksion të ruajtjes të asaj tradite të begatshme gjithmonë që ka qenë ndër shekuj dhe duhet kultivuar padyshim”.

Ndërsa nismëtari i këtij festivali, deputeti Haklaj, i cili përpara takimit me politikën njihej si valltar thekson se kompromisi më i ndershëm me këta qytetarë është arti.

Azgan Haklaj: “Qëllimi im ka qenë, që të integrojmë kulturën e kombit shqiptar, sepse pa integrimin kulturor, nuk ka integrim kombëtar”.

Fituesi i këtij edicioni ishte ansambli kulturor Dardania, i cili do të niset së shpejti dhe drejt festivalit të Gjirokastrës./tvklan.al

Gazetare – Mira Kazhani