Kombëtarja mundi 3 – 0 Lihtenshtejnin në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e së hënës në Hungari.

Sylvinho pa 17 lojtarë në këtë sfidë testuese, ku i dha mundësinë disa prej atyre që qëndrojnë në stol apo kanë pak minuta kohët e fundit.

Përballë një kundërshtari modest Shqipëria golat i shënoi me Brojën, Asanin dhe Muçin. Trajneri Sylvinho tha se pa në fushë atë që kërkonte.

“I morëm përgjigjet që donim, po punojnë shumë dhe patën një paraqitje të mirë. Në këtë ndeshje i dhamë mundësinë atyre që nuk kanë luajtur shumë. Donim të bënim më shumë ndryshime, por rregullat e UEFA-s na lejojnë vetëm 6”.

Kuqezinjtë thanë se po punojnë shumë për të qenë gati për ndeshjen me Italinë.

“Është një fitore që na jep një vetëbesim shumë të madh që të shkojmë drejt gjermanisë me një mentalitet fitues”, tha Jasir Asani.

“Kemi një shkuaër të fortë dhe po punojmë shumë për të filluar Europianin siç duhet”,  shpreh Armando Broja.

“Ishte një test i mirë, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë për ndeshjet e Europianit”, theksoi Ernest Muçi.

“E dimë se Europiani nuk vjen çdo vit. Kemi arritur këtu me shumë dëshirë”, tha Kristjan Asllani.

Shqipëria ka edhe një tjetër miqësore të premten ndaj Azerbajxhanit që do ta ndiqni si zakonisht në Tv Klan përfshi të gjitha ndeshjet e Euro 2024 nga 14 Qershori deri më 14 Korrik.

Tv Klan