Topalli: Presidenti të nisë konsultimet me politikën

Jozefina Topalli: “Jam këtu para jush për të ftuar presidentin e republikës, që në frymën e kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të cilat parashikojnë luajalitetin kushtetues në bashkëpunimin institucional, në procedurën e emërimit të gjyqtarëve të nisë konsultimet me faktorët kryesorë parlamentar. Si kryetare e parlamentit dua të siguroj presidentin e republikës për respekt të plotë të këtij institucioni ndaj institucionit të presidencës.

Leskaj: Partitë s’mund t’i imponohen presidentit

Valentina Leskaj: “Ne gjykojmë si grup parlamentar i PS se është momenti për një reflektim të Kuvendit në funksion të zgjidhjes së krizës së krijuar tashmë e cila siç e thash kërcënon pushtetin gjyqësor. Besojmë dhe kërkojmë që konsultimi mes presidentit të republikës dhe Kuvendit mund të bëhet për kriteret e për zgjedhjet, por nuk mund të jetë përcaktues.

Patozi: Konsensusi, zgjidhja më e mirë për kandidaturat

Astrit Patozi: “Ftojmë presidentin e republikës, por edhe opozitën që të nisin pa humbur shumë kohë procedurën e konsultimit për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë plotësimit të Gjykatës së Lartë duke theksuar se transparenca nëpër zgjedhjet e tyre është një element tepër i rëndësishëm në interes të vendit dhe të gjitha palëve. Për ne fryma e konsensusit dhe e kooperimit do të ishte përgjigja më e mirë e mundshme ndaj vendimit të gjykatës kushtetuese, zakonit kushtetues. I kërkojmë opozitës që bëhet pjesë e zgjedhjes dhe të mos e shfrytëzojë këtë moment për interesa të ngushta politike.”

Meta: Puçi institucional, goditi presidentin

Ilir Meta: “Dje radhën e pati presidenti e bashkë me të edhe pavarësia e gjyqësorit duke nisur nga pavarësia e Gjykatës së Lartë. Ndryshimet puçiste kushtetuese të 21 prillit që i dhanë një pushtet të pa precedentë dhe e bënë të pakontrollueshëm nga parlamenti Berishën. Po japin me shpejtësi efektet e tyre negative dhe antishtet. Shkatërrimi i kontrollit dhe i balancës së pushteteve nuk vonoi për të krijuar një kolaps institucional.”

Ceka: Votimi, rezultat i kompromisit PD-PS

Neritan Ceka: “Ky është rezultati i kompromisit PS-PD, ku politika e re i dha zotit Berisha të gjitha fuqitë për ta manipuluar këtë parlamenti i cili është natyrisht nën frikën e listave të proporcionalit rajonal. Ne insistojmë nevojën që ndryshimet kushtetuese që sjellin votime të tilla ti paraqiten në referendum popullit. “/tvklan.al