Durrësi mbetet një nga portat hyrëse kryesore për shumë persona. Sipas të dhënave nga autoriteti portual në këtë qytet vetëm në 5 ditët e fundit kanë hyrë në territorin e vendit tonë mbi 10 mijë qytetarë me më shumë se 2 mijë mjete.

Sipas informacioneve, shumë prej udhëtarë janë emigrantë të cilët jetojnë dhe punojnë jashtë vendit të cilët kanë zgjedhur që të kthehen në vendlindje për sezonin veror. Por shumë prej pasagjerëve janë edhe turistë të huaj të cilët pushojnë në Shqipëri këtë verë, jo vetëm në Durrës, por edhe në qytete të tjera të vendit.

Ndërkohë numri i daljeve është më i ulët. Gjatë periudhës 12-16 korrik kanë dalë nga porti i Durrësit drejt Italisë mbi 2 mijë udhëtarë. Numri i udhëtarëve është më i lartë gjatë fundjavave ndërsa fluksi pritet të rritet në pjesën e mbetur të muajit korrik dhe në gusht. Prandaj autoriteti portual ka marrë masat për të përballuar fluksin

Turistët të cilët mbërrijnë në vendin tonë nga porti i Durrësit nuk vizitojnë vetëm qytetin bregdetar, por edhe Tiranën, Krujën apo zona të tjera, jo vetëm bregdetare, në varësi të planeve të tyre të pushimeve.

Klan News