Izraeli është zotuar se Hezbollahu do të paguajë çmimin pas sulmit me raketa në Lartësitë Golan që vrau 12 fëmijë, ndërsa po pergatit operacion tokësor duke shkaktuar edhe njëherë frikën se një luftë e gjithanshme do të përfshijë rajonin.

Avionët luftarakë izraelitë kryen sulme ajrore kundër objektivave të Hezbollahut brenda territorit liban dhe përgjatë kufirit gjatë natës. Ndërkaq, mëngjesin e së hënës një sulm izraelit me dron vrau dy persona dhe plagosi tre të tjerë në Libanin jugor.

Frika për nisjen e një fronti të ri lufte, ka bërë që fluturimet në aeroportin e Bejrutit të anulohen për arsye sigurie. Aeroporti Ndërkombëtar Bejrut-Rafic Hariri është aeroporti i vetëm i Libanit dhe ka qenë në shënjestër duke përfshirë luftën e fundit midis Hezbollahut dhe Izraelit në 2006. Konflikti ka ndërprerë edhe transportin në të gjithë rajonin, ndërsa SHBA-ja dhe shumë vende europiane kanë paralajmëruar qytetarët të largohen nga Libani mes frikës për një tjetër luftë.

Ndërkaq, zyrtarë të lartë nga Izraeli, Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara u takuan në Romë për të vazhduar negociatat mbi një armëpushim në Gaza. Bisedimet erdhën pasi tensionet u rritën në rajon mes luftimeve përgjatë kufirit midis Izraelit dhe Libanit. Zyrtarët u zotuan për një armëpushim, në të cilin pengjet izraelitë të mbajtur rob nga Hamasi do të shkëmbeheshin me qindra palestinezë të burgosur nga Izraeli.

Nga ana tjetër, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se Turqia mund të hyjë në Izrael, siç kishte bërë në të kaluarën në Libi dhe Nagorno-Karabakh, megjithëse ai nuk shpjegoi se çfarë lloj ndërhyrjeje po sugjeronte.

Erdogan: Ne duhet të jemi shumë të fortë në mënyrë që Izraeli të mos mund t’i bëjë këto gjëra qesharake Palestinës. Ashtu siç kemi hyrë në Karabakh, ashtu siç kemi hyrë në Libi, ne mund të bëjmë diçka të ngjashme me ta. Nuk ka asnjë arsye që ne të mos e bëjmë këtë.

Por pas këtyre deklaratave nga Erdogan, ka ardhur edhe reagimi i parë nga ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz. Sipas këtij të fundit, Erdogan po ndjek hapat e ish-diktatorit irakian, Sadam Hussein.

Erdogan po ndjek gjurmët e Sadam Huseinit dhe kërcënon të sulmojë Izraelin. Vetëm le të kujtojë se çfarë ndodhi atje dhe si përfundoi”, shkruajti Katz në X.

Klan News