Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Familja dhe prona janë dy elementët më të rëndësishëm të republikanëve që kërkojnë ta transmetojnë edhe gjatë kësaj fushate. Në bashkinë e Korçës kryetari republikan Fatmir Mediu ka prezantuar kandidatin e përbashkët Robert Damo. Republikanët u shpreh Mediu, iu ofrojnë mundësi të reja bazuar në vlera, e mundësi për të ndërtuar familjen tonë Shqipërinë.

Fatmir Mediu:- “Në emër të intelektualëve korçarë të nënvlerësuar nga injoranca e pushtetit socialist, në emër të rinisë që duan t’i vrasin shpresën, të përndjekurve politikë, që vazhdojnë edhe sot të persekutohen, të pronarëve fisnikë, që vazhdojnë edhe sot të vidhen, në emër të të gjithë juve, ju bëj thirrje që në 12 Tetor të tregojmë, se së bashku ne mund të bëjmë të mundur ndryshimin, për të mirën e fëmijëve tanë, për të mirën e familjeve tona, për të mirën e Korçës, për të mirën e Shqipërisë”.

Mallakastra, Tepelena dhe Gjirokastra, janë qytetet ku demokratët e reformuar kanë prezantuar kandidatët e tyre. Në komunën e Greshicës, kryetari Genc Pollo u shpreh se me njerëzit e ideve të reja, ne do të mund të ndërpresim keqadministrimin socialist. Kandidati për këtë zonë është Jonuz Metaj, ndërsa Bektash Cane është kandidati i reformatorëve në Tepelenë.

Genc Pollo:- “Të gjithë banorët e Tepelenës ta ndjejnë veten pjesëtarë, aksionerë në bashki, ta ndjejnë veten se bashkia i përfaqëson dhe taksat i mbledh prej tyre dhe buxhetin duhet ta shpenzojë për ta”.

E vetmja zgjidhje u shpreh Pollo në Gjirokastër është pjesëmarrja në votime. Këtu kandidon Hadër Mevlani.

Nikollë Lesi:- “Dua të denoncojë lojën politikë të dy kandidatëve për kryetar të bashkisë së Tiranës, zotit Edi Rama dhe Spartak Ngjela, të cilët po kërkojnë të përlajnë gjithë pushtetin vendor, duke u bërë thirrje votuesve të Tiranës, që t’u japin njëkohësisht dhe shumicën e këshillit bashkiak, nëse ndodh kjo ai do bëhet një perandor i gjithpushtetshëm në Tiranë”.

Ne nuk premtojmë qiejt, por garantojmë proces ambicioz të të ardhmes së shqiptarëve, sepse ata e meritojnë atë. Me këtë slogan dhe këtë fjalim është hapur takimi në Roskovec i PDS./tvklan.al