Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e kësaj të premteje në Larushkë të Fushë Krujës. Gentjan Bejtja u ekzekutua me armë zjarri në banesën e tij, si pasojë e një atentati.

Tvklan.al mëson se 42-vjeçari ndodhej brenda në serë, së bashku me bashkëshorten dhe njërin prej djemve, kur u vra.

Gentjan Bejtja
Në foto viktima, Gentjan Bejtja

“Më datë 15.03.2024, në fshatin Larushk, Krujë, nga persona ende të paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi Gentjan Bejtja. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar“, tha policia e Krujës në një njoftim paraprak për ngjarjen.

Vrasja e Gentjan Bejtjas, foto nga vendi i ngjarjes
Vrasja e Gentjan Bejtjas, foto nga vendi i ngjarjes

Rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë momentalisht janë të paqarta. Sipas të dhënave të deritanishme, në atentat dyshohet të kenë marrë pjesë 3 persona, të cilët qëlluan me breshëri plumbash ndaj viktimës (Lexo më shumë).

Pak kohë pas ngjarjes autoritetet gjetën në flakë një automjet në fshatin Hasan, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Brenda makinës mësohet se janë zbulur 4 kallashnikovë.

“Në vazhdim të veprimeve hetimore, në fshatin Hasan është gjetur një automjet tip “Land Rover”, i bardhë, i djegur, brenda të cilit janë gjetur katër armë zjarri të djegura. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, konfirmoi edhe policia në një informacion shtesë.

Dyshimet e para janë se Bejtja i ka pikasur autorët dhe ka tentuar të largohet, pasi në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur shenja gjaku deri në pjesën e pasme (Lexo më shumë).

42-vjeçari, person me precendentë të mëparshëm penalë, u kishte shpëtuar deri më tani 3 atentateve.

Më datë 4 Korrik të vitit 2023 atij iu bë një atentat, jashtë ambienteve të banesës. Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan L. Sino 29 vjeç, dhe u plagosën dy djemtë e Gentjan Bejtjas, A.Bejtja 13 vjeç dhe djali tjetër 10 vjeç (Lexo më shumë).

9 Janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka që ishte me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Ngjarja mbetet e pazbuluar.

Në foto Gentjan Bejtja dhe kunati i tij Ramazan Sino, i vrarë në atentatin e 4 Korrikut 2023

Gentjan Bejtja i shpëtoi po ashtu dhe një atentati me eksploziv të ndodhur në Shtator të vitit 2016 kur në mjetit e tij një sasi eksplozivi shpërtheu dhe e plagosi atë (Lexo më shumë).

Për atentatin e ndodhur më datë 4 Korrik të vitit 2023 policia dyshoi tek Valter Bami, ish-miku i viktimës për të cilin me gjithë kërkimet u ngrit vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. Ky i fundit, qëndroi në burg për 6 muaj dhe u la i lirë me arrest shtëpie më datë 18 Janar 2024 (Lexo më shumë).

Gentjan Bejtja kërkohej nga policia për t’u marrë në pyetje për ngjarjen në fjalë.

Ndërkohë disa orë pas atentatit të sotëm, gazetarja Glidona Daci thotë se policia ka shoqëruar sërish Valter Bamin për t’u marrë në pyetje./tvklan.al