Pak orë pas ekzekutimit me armë zjarri të Gentjan Bejtjas, policia mësohet se ka shoqëruar Valter Bamin. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja e Klan News, Glidona Daci.

Valter Bami ndodhej në arrest shtëpie, që prej 18 Janar të këtij viti, kur u la i lirë nga gjykata për mungesë provash. Bami qëndroi në burg për 6 muaj, pasi u arrestua si i dyshuar në atentatin e 4 Korrikut 2023, po ndaj Gentjan Bejtjas.

Gentjan Bejtja
Në foto viktima, Gentjan Bejtja

Ish-mik me këtë të fundit, pavarësisht dyshimeve të hetuesve, ndaj Bamit u ngrit vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. (Lexo më shumë).

42-vjeçari Gentjan Bejtja u ekzekutua këtë të premte në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Larushkë të Fushë Krujës (Lexo më shumë).

Të paktën 3 persona dyshohet se morën pjesë në këtë ngjarje kriminale. Pak kohë pas vrasjes autoritetet policore gjetën të djegur një makinë, brenda së cilës u zbuluan 4 kallashnikovë, që dyshohet se u përkisnin autorëve.

Gentjan Bejtja i kishte shpëtuar 3 atentateve në të shkuarën. Më i rëndi ishte ai i Korrikut që lamë pas, e që iu bë po në banesë. Nga ngjarja në fjalë mbeti i vrarë kunati i tij 29-vjeçar dhe u plagosur dy djemtë e mitur të Bejtjas (Lexo më shumë)./tvklan.al