Vendet e G7-ës arrijnë marrëveshjen për ndihmën financiare prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, që Kievi e konsideroi historike. Bëhet fjalë për një ndihmë tjetër kolosale që do t’i japë një shtysë të madhe përpjekjeve të ukrainasve në luftë kundër rusëve që kanë pushtuar 1/5 e territorit të vendit, pas 61 miliardë dollarëve të dhëna nga Shtetet e Bashkuara më herët gjatë këtij viti.

Ndihma e re parashikon dërgimin nga Shtetet e Bashkuara të materialeve ushtarake dhe stërvitore për ushtrinë ukrainase, por jo trupa tokësore amerikane. 50 miliardëshi është siguruar nga kreditë që aleatët kanë marrë për të gjeneruar një tjetër ndihmë financiare për Kievin. Interesi prej 3 miliardë dollarë në vit, do të shlyhet prej tyre nga shitja e aseteve të sekuestruara ruse nga perëndimi me vlerë 325 miliardë dollarë.

Në fjalën e tij me Volodimir Zelenskin në krah, presidenti amerikan Joe Biden tha në përfundim të ditës së parë të samitit se miratimi i ndihmës është një mesazh për Vladimir Putinin se Ukraina është në aleancë me perëndimin dhe nuk do të bjerë. Në ditën e dytë të samitit të G7-ës në Pulja të Italisë, do të jetë i pranishëm për të parën herë një Papë, Papa Françesku.

Tv Klan