“Nuk e vë në dyshim që ky avion ka ardhur për të tentuar që të transportojë një ngarkesë lënde narkotike. Është një formë transporti e njohur. Grupet e fuqizuara kriminale i kanë potencialet për ta bërë këtë gjë. Gjatë deklarimeve që ka dhënë sot pasdite shtetasi italian, ai ka deklaruar se; “Kam ardhur në Shqipëri për të provuar nëse funksionon pista. Kam ardhur për të provuar pistën dhe plani im ka qenë që të kthehem dhe të transportoj një sasi prej 200 kg drogë”.

Pas kësaj deklarate të bërë në emisionin “Opinion”, të Blendi Fevziut në Televizionit Klan, gazetari Artan Hoxha është shoqëruar për afro 3 orë në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Oficerët e Prokurorisë e kanë pritur Hoxhën jashtë godinës së Televizionit Klan dhe i kanë komunikuar urdhrin e shoqërimit, me arsyetimin se kishte nxjerrë sekretin hetimor, për çështjen e avionit italian të rënë në zonën e Ishmit.

Drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu ka shoqëruar gazetarin e News 24 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Pasi u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për 3 orë, në dalje Hoxha ka deklaruar se i janë sekuestruar dhe 2 telefonat, përmes të cilëve, prokurorët besojnë se i është transmetuar dhe informacioni që gazetari përcolli në emisionin “Opinion”.

Nën hetim për nxjerrje të sekretit hetimor mësohet se janë edhe disa persona të tjerë, përfshirë anëtarë të grupit të hetimit, të cilëve u janë sekuestruar gjithashtu telefonat celularë.

Tv Klan