Kur duhen edhe 2 javë nga zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, Partia Social Demokrate e Martin Schulz, pëson rënie në sondazhe, duke regjistruar vetëm 21% të mbështetjes. Ky është rezultati më negativ në historinë e SPD-së.

Nga ana tjetër Kristian Demokratët e Angela Merkel rriten me një pikë, duke siguruar 38% të mbështetjes, me një avantazh të padiskutueshëm ndaj rivalëve.

Debati i pak ditëve më parë duket se nuk e ka ndihmuar ish-presidentin e Parlamentit Europian, i cili gjithësesi është i vendosur të luftojë deri në fund përballë kancelares gjermane, duke thënë se synimi i tij është të bëjë për vete elektoratin gri, deri më 24 shtator.

Në sondazhin e kryer nga ARD, më shumë se gjysma e qytetarëve u përgjigjën se ende nuk e kanë vëndosur se për kë do të votojnë.

Kancelarja Merkel duket se po shkon drejt mandatit të katërt në krye të vendit, por sipas analistëve nuk duhet anashkaluar as e ashtuquajtura “vota taktike”, e cila zë një vend të rëndësishëm mes të pavendosurve. Mediat gjermane skruajnë se një pjesë e besnikëve të CDU-së, mund të votojnë për SPD-në në mënyrë që t’i japin fund dominimit të Merkelit. Ndonëse një skenar jo fort i mundur, “vota taktike” mban ende gjallë shpresat e Martin Schulz. Tv Klan