Rreth 60 artizanë nga 20 qytete të vendit janë bërë bashkë në edicionin e 5-të të Panairit Kombëtar të Artizanatit në Gjirokastër këtë fundjavë. Një mozaik i larmishëm punësh të realizuara me dorë në skalitje guri, dru gdhendje, tekstil tradicional, tezgjah apo kulinari karakteristike shpalosi vlerat e kulturës sonë popullore.

“Unë vij nga Saranda dhe është e disata herë që marr pjesë në Panairin e Gjirokastrës dhe pjesëmarrja duket e ngrohtë dhe e bukur, ne vijmë me punimet tona artizanale me gurë natyralë, motive të cilat ne i sajojmë vetë dhe i krijojmë vetë në bazë të fantazisë sonë dhe kërkesave të tregut.” 

“Vij nga qyteti i Lezhës, kam marrë pjesë në disa panaire, këtu në Gjirokastër është hera e parë, merremi me rritjen dhe mbarështimin e krimbit të mëndafshit natyral, punojmë me cikël të mbyllur, e rrisim, e përpunojmë, e bëjmë fije derisa dhe copë.”

 “Vij nga qyteti i Vlorës dhe këtu prezantoj punimet e dorës.”

Pjesëmarrës në “Kult-Art 2024” ishin edhe mjeshtra artizanë që transmetojnë në breza vlerat e traditës dhe trashëgimisë kulturore.

“Pavarësisht se profesioni im është mësuese, nuk e humbas traditën e familjes që nga gjyshja, stërgjyshja ime që të bëjmë punë artizanale. Korça shquhet për traditat e punimit të dorës, të artit të dorës, për qylimat e saj, për velenxat.”

Panairi Kombëtar i Artizanatit tërhoqi edhe vëmendjen e turistëve, të cilët nuk largohen pa marrë me vete një kujtim nga Shqipëria.

 “Jemi shumë të kënaqur që edhe turistët i kanë shijuar shumë duke filluar nga qifqitë, japraku dhe çdo gatim tjetër që përfaqëson dhe i jep identitet Gjirokastrës.”

“Këtu është traditë që kush e ka ruajtur dhe tek unë vijnë vazhdimisht turistët, të adresuar kudo që venë në qoftëse do punime druri, të punuara, të gdhendura me dorë mund të vish në Fier ka punime nga më të ndryshmet dhe aty e shikojnë edhe tavolinën e punës,e shikojnë gjithçka që bëhet me dorë.” 

Përgjatë verës në Gjirokastër po zhvillohen aktivitete të shumta kulturore në shërbim të zhvillimit të turizmit.

Tv Klan