Kompania që ka në pronësi tregun Agroushqimor në Tiranë është gjobitur me 9.99% të xhiros vjetore nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, e cila i korrespodon një vlere prej 500 mijë dollarësh.

Komisioni i Konkurrencës pas një hetimi disa mujor konstatoi se kjo kompani, e cila ka në pronësi tregun e vetëm të shumicës në kryeqytet, nga ku furnizohet afrësisht gjysma e popullatës së Shqipërisë, u vendos kushte të padrejta qytetarëve dhe qiramarrësve të ambienteve të saj.

Autoriteti i Konkurrencës thotë se çmimi i qirasë që ofrohet për tregtarët është të paktën 74% më i lartë se qiraja që paguajnë për magazinim të produkteve ndërmarrje të tjera në këtë zonë.

Kompania EKMA arrin të realizojë një normë fitimi prej 76.1%, përkundrejt normës 35.98% që ka një shoqëri me funksion të njëjtë si ajo, që administron tregun e shumicës në Elbasan, thotë raporti.

Si shkelje kryesore konkurrenca ka gjetur faktin se kompania ndryshon tarifën e qirasë çdo muaj, duke bërë të pamundur për biznesin parashikimin e menaxhimit të buxhetit përgjatë vitit.

Po ashtu kompania EKMA Albania i detyron bizneset të firmosin kontrata që të lenë garanci me dy muaj paradhënie qiraje, por pa parashikuar asnjë dispozitë mbrojtëse për ta, nëse do t’i kthehen pas.

Shkelja e fundit që është konstatuar është edhe ajo me rritjen e çmimit të energjisë dhe ujit që u ofrohet tregtarëve. Nga 13.2 lekë /kilovat orë, bizneset duhet të paguajnë 20 lekë për kilovat.

Këto abuzime sjellin një efekt zinxhir edhe në paratë që konsumatorët paguajnë për këto produkte, duke qenë se ky treg furnizon pothuajse të gjitha pikat e pakicës në kryeqytet.

Tv Klan