Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një ditë pasi kryetari i Gjykatës së Lartë Thimo Kondi, ka bërë publike përplasjen për shkak të kompetencave me Gjykatën Kushtetuese, kryetari i saj Fehmi Abdiu ka deklaruar se këto janë qëndrime emocionale të zotit Kondi.

I kontaktuar nga TV Klan, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, duke folur për kryetarin e Gjykatës së Lartë tha, se zoti Kondi hynte në atë kategori njerëzish që nuk kanë dëshirë të kontrollohen nga institucionet e tjera kushtetuese për vendimet që marrin.

Sipas Abdiut, Gjykata e Lartë shpesh herë nuk ka respektuar standardet europiane, në proceset gjyqësore dhe ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese do të vazhdojë të shfuqizojë vendimet e Gjykatës së Lartë, nëse ato bien ndesh me Kushtetutën. Gjithashtu zoti Abdiu nuk i sheh të pandashme deklaratat e kryetarit të Gjykatës së Lartë Thimio Kondi nga qëndrimet e PD, në opsionet e së cilës është edhe shkrirja e Gjykatës Kushtetuese, e akuzuar nga opozita për vjedhjen e mandateve të deputetëve në zgjedhjet e vitit 2001.

Sipas zotit Abdiu, në qëndrimet e tij emocionale, kryetari i Gjykatës së Lartë frymëzohet nga segmente të caktuara të politikës, që kanë filluar prej kohësh presionet ndaj Gjykatës Kushtetuese. E vetmja zgjidhje që jep Abdiu për Kondin është referendumi për pakësimin e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe deri atëherë siguron Fehmi Abdiu, kjo gjykatë do të vazhdojë punën e vetë pa hezituar të shfuqizojë vendime të Gykatës së Lartë, që sipas tij bie ndesh me Kushtetutën./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço