Gjykata e Lartë ka rikthyer këtë të martë dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i dënuar për vrasjen e 4 policëve në Gusht të vitit 2009.

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sandër Simoni, Artur Kalaja prishi kështu dënimin e dhënë nga Apeli për Krimet e Rënda, që e dënoi Dajtin me 25 vjet burg dhe la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

Vendimi i dhënë nga Gjykata e Lartë këtë të martë, 11 Qershor 2024
Vendimi i dhënë nga Gjykata e Lartë këtë të martë, 11 Qershor 2024

Në vitin 2014, Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda (në atë kohë), për vrasjen e 4 punonjësve Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollarri.

Por në Shkurt të 2019-ës, një trupë gjyqësore e komanduar pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm, duke e dënuar Dajtin me 25 vite burg.

Përplasja e përgjakshme e 7 Gushtit 2009 dhe procesi ndaj Dritan Dajtit

Gjithçka nisi më 7 Gusht të 2009, ku në një përplasje me armë mes policisë dhe Dajtit, në plazhin e Durrësit, u vranë katër policët Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollarri. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe vetë Dritan Dajti dhe u vra miku i tij Ledio Mara.

Faza hetimore për këtë krim të rëndë u mbyll shpejt, pasi Prokuroria dorëzoi dosjen në gjykatë në fund të 2009, 4 muaj pas krimit. Por këtu do niste telenovela me këtë proces gjyqësore pasi të gjithë seancash shtyheshin.

Thuajse të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së parë u konsumuan. Ndërsa avokatët nuk pranonin të merrnin në mbrojtje të pandehurin për shkaqe të ndryshme. Pavarësisht këtyre manovrave, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në 2014-n, e dënoi me burgim të përjetshëm Dajtin, si autori i 4 vrasjeve të punonjësve të policisë.

Procesi në Gjykatën e Shkallës së Parë u shoqërua me tensione të shumta mes Prokurorisë dhe Gjykatës nga njëri krah dhe të pandehurit nga krahu tjetër. Nuk munguan as kërcënimet ndaj prokurorëve Eugen Beci dhe Ardian Nezha, si trupave gjyqësore që ndryshoheshin herë pas here./tvklan.al