Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e sigurisë dhënë më herët në mungesë për Ismail Zenelajn, duke e lënë atë në qeli pa afat.

Zenelaj nuk foli në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura duke u mbrojtur nga avokati për akuzat e SPAK.

Prokuroria e Posaçme thotë se nga komunikimet në aplikacioni Sky, si dhe hetimet e tjera, Zenelaj është përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës.

Lënda narkotike sillej nga Amerika e Jugut dhe futej për në Europë nëpërmjet portit te Valencias në Spanjë.

Gjithashtu hetuesit thonë se Ismail Zenelaj i njohur edhe me emrin Luan Sadria ka siguruar kushtet dhe është përpjekur për hakmarrje të vras dy vëllezërit Edmond dhe Albert Nela.

Këta të fundit, ai i akuzonte si autorë të vrasjes së vëllait të tij në 2013-ën në Britaninë e Madhe.

Për të realizuar planin ai kërkoi ndihmën e ish efektivit të policisë Dedan Gjoni, i cili siguronte lëvizjet e dy vëllezërve dhe familjarëve të tyre gjatë vitit 2020. 

Zenelaj u ekstradua nga Spanja të enjten disa muaj pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK.

Tv Klan