Përveç kontrabandës me mallra të ndaluara, Prokuroria e Durrësit ka shtrirë hetimet për dy anijet që dyshohet se transportuan ngarkesë me materiale toksike Nga Shqipëria drejt Tajlandës, edhe për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Hetimet janë në fazën paraprake dhe ende nuk ka persona nën hetim, megjithatë hetuesit i thanë Tv Klan se po mundohen të kuptojnë nëse ka pasur lehtësira në shkelje të ligjit nga zyrtarët në nxjerrjen e ngarkesës nga Porti i Durrësit.

Deri më tani grupi i hetimit ka administruar disa dokumente dhe në bazë edhe të referimeve nga Policia dhe Dogana regjistroi procedimin penal.

Prokuroria e Durrësit urdhëroi gjatë javës sekuestrimin e dokumentacionit të përpunimit të materialit dhe dokumente të tjera pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, Ministrisë së Mjedisit dhe kompanive private të dyshuara si të përfshira në këtë transport.

Pas administrimit të këtyre dokumenteve, prokuroria do të nisë edhe marrjen në pyetje të personave që kanë pasur lidhje me këtë ngarkesë apo me dokumente të përpunimit të materialeve.

Një veprim kyç për hetuesit është konfirmimi ligjërisht me anë të ekspertizave të llojit të materialit që është në dy anijet. Deri tani nuk është e qartë se çfarë materialesh ka në kontejnerët e ngarkuara në dy anijet e kompanisë Maersk dhe nga ku janë marrë ato.

Dy anijet; sipas të dhënave që ka grupi i hetimit në Prokurorinë e Durrësit ndodhen të ankoruara në Singapor në pritje për t’u nisur në Shqipëri.

Kompania shqiptare Sokolaj sh.p.k qe ka kryer eksportin nuk pranoi të jepte sqarime për Tv Klan se ku i kishte marre mbetjet dhe për çfarë mbetjesh bëhej fjalë, teksa hetimet për të hedhur dritë mbi këtë çështje mund të përfshijnë edhe Kosovën, në bazë të dyshimeve se në kontejnerë mund të ketë edhe mbetje nga Kosova.

Ishin disa organizata mjedisore ndërkombëtare ato që dhanë alarmin për transportin e këtyre mbetjeve nga Shqipëria drejt Tajlandës dhe tashmë do të mbetet në dorën e hetimeve të konfirmuar dyshimet dhe gjetur përgjegjësit.

Organizatat BAN, GroundWork, Friend of the Earth dhe Ecological Alert and Recovery i kërkuan kompanisë Maersk të kryejë analiza të materialeve që gjenden në kontejnerë ende pa u nisur për në Shqipëri.

Sipas tyre, Maersk rrezikon të akuzohet për trafik të paligjshëm të mbetjeve, teksa dyshimet për këtë kompani shtohen pasi anijet çaktivizuan sistemet e tyre të identifikimit automatik të transponderve GPS kur u afruan në Cape Toën në Afrikën e Jugut.

Kryerja e analizave pritet të hedhë përfundimisht dritë mbi dyshimet që mbetjet mund të jenë toksike dhe të sqarojnë se për çfarë mbetjesh bëhet fjalë dhe ku janë marrë ato.

Por pavarësisht rezultateve të tyre, ngarkesa pritet të kthehet në Portin e Durrësit.

Tv Klan