Me një makinë private shoqëruar nga familjarë dhe avokati mbrojtës, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ka hyrë në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda rreth orës 12:00. Ai ka qenë i pari që është përballur me gjykatën duke shkaktuar dhe debate gjatë seancës. Nga i akuzuar Sefgjini është kthyer në akuzues për prokurorinë e çështjes.

Prokurori Xhevat Hana: “Në vazhdim të hetimeve i pandehuri është Arben Sefgjini është akuzuar dhe për rrëmbimin e shtetasit Avdyl Loshaj në bashkëpunim dhe për tortura të rënda në bashkëpunim.”

Arben Sefgjini: “Zoti gjyqtar, ky është një manipulim që bën prokurori, për qëllime që vetëm ai i di. Nuk është e vërtetë se kjo është një akuzë e re dhe aq më shumë e zbuluar nga ky prokuror, pa asnjëlloj hetimi tjetër na dilka në konkluzionin ky që paska sajuar një akuzë të re të paparë më përpara, sipas tij. Unë kam dalë nga shteti dhe jam kthyer përsëri, ku qëndron rreziku që unë iki edhe nuk vij më meqenëse paskemi një akuzë të re.”

Pas seancës Sefgjini doli i heshtur nga salla e gjykatës duke preferuar të mos i përgjigjet pyetjes së gazetarëve.

I ndryshuar deri diku në look dhe pa një pompozitet gjatë shoqërimit të tij, pak kush e vuri re hyrjen e Avni Koldashit në gjykatë. I deklaruar si invalid i klasit të parë atë nuk e përjashton dot nga mundësia e një procedimi penal. Ish-punonjësi i Shërbimit Informativ, ka kërkuar nga gjykata se nuk dëshiron të mbrohet me avokat dhe se nuk i trembet asnjë kërkese të prokurorisë qoftë kjo dhe me burgim të përjetshëm.

Avni Koldashi: “Jam totalisht i pafajshëm në këtë vend që jam sot dhe kam ardhur si rezultat i veprimtarisë shtetërore.”

Edhe atij do t’i duhet të qëndrojë i mbyllur në shtëpi deri në përfundim të gjykimit si një masë shtrënguese nga prokuroria, e cila e konsideron si personin me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Jashtë sallës së gjyqit Avni Koldashi i përgjigjet kështu pyetjes së Klan”

Avni Koldashi: “Prapavija është politike është prapavijë mafioze dhe korruptive, në të ardhmen do të shikohet domethënë që ju e keni aq zgjuarsi sa që t’i kuptoni problemet vetë në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani