Plot 15 kilogramë heroinë janë sekuestruar nga drejtoria e krimit të organizuar në orët e pasdites në Golem të Kavajës. Lënda narkotike u kap gjatë operacionit “Autostrada” në një auto-veturë tip BMW me targa të Durrësit, të drejtuar nga Lutfi Shabani, një person me precedent penal, i njohur ndryshe si Ben Çami. Zbulimi i drogës ka pasuar dhe arrestimin e tij.

Klodian Branko: “Arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi është bërë në Golem të Kavajës, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, parashikuar nga neni 283 i kodit penal. Në momentin e arrestimit këtij shtetasi i është sekuestruar edhe 15 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si heroinë. Nga veprimet paraprake ka rezultuar se shtetasi Shabani, ose i njohur ndryshe si Ben Çami ishte duke udhëtuar nga Kavaja për në Durrës me një automjet tip BMW. Lënda narkotike ishte e ndarë në 30 pako të mbështjella me letër natribani e fshehur në bagazhin e makinës. Aktualisht vazhdojnë hetimet për të identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë të këtij trafiku.”

Zëdhënësi i policisë nuk ka bërë publike detaje të tjera mbi parandalimin e këtij trafiku. Sipas tij agjentë të antidrogës po hetojnë mbi origjinën e këtij malli të kushtueshëm si dhe destinacionin e tij. Përgjimi i këtij personi ka zbuluar se ky është transportuesi i mallit dhe se të tjerë persona kanë bashkëpunuar me të./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani