Lajme Arkiva – TV Klan 2001

“Partia Aleanca Demokratike, do të dalë e vetme në zgjedhjet e 24 Qershorit”. Kështu ka deklaruar Gramoz Pashko, një nga krerët e kësaj partie. Sipas tij prishja e koalicionit parazgjedhor, nuk është fundi i botës.

Gramoz Pashko:- “Deri në momentin e tanishëm Aleanca Demokratike, do të dali si parti më vete, dmth. do të konkurojë në të dy krahët. Në programin e saj ajo do t’i qëndrojë atij programi, që ka pasur deri tani, do t’i qëndrojmë luajalë arritjeve apo mosarritjeve të koalicionit me të cilin kemi qenë. Do të shpërndahemi në të gjitha zonat, shpresojmë që të përzgjedhim kandidatë të mirë për të 100 zonat”.

Gazetarja:- Keni shpresë për një aleancë të re me Partinë Socialiste?

Gramoz Pashko:- “Asgjë nuk është e mbyllur ende, por më duket pak e vështirë, ne po përgatitemi që të vazhdojmë të vetëm. Dyshoj që mund të arrihet një aleancë parazgjedhore, pasi PS e ka vulosur qëndrimin e saj, që ajo do të vazhdojë e vetme”.  

Gazetarja:- “Shpresoni se do të keni përfaqësim në parlament edhe kësaj here?

Gramoz Pashko:- “Jam i bindur që do të kemi përfaqësim, ndoshta edhe më të mirë nga sa patëm në 97”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego