Lajme Arkiva 2003

Greqia gjykon se suksesi i kandidatit grek të dalë nga minoriteti grek në Himarë në zgjedhjet vendore do të bindë Tiranën që t’i akordojë Himarës statusin e zonave minoritare.

Kështu është shprehur ministri i jashtëm grek nëpërmjet zëdhënësit të tij Panagiotis Beglitis sipas të cilit kërkesa për përfshirjen e Himarës në listat e vendeve minoritare të jugut të Shqipërisë, tashmë të njohura zyrtarisht nga Tirana është kërkuar në takimet e zyrtarëve grek me palën shqiptare si edhe në takimet me Komisioni Evropian.

I pyetur për rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri zoti Beglitis ka nënvizuar se Athina insiston dhe do të vazhdojë të insistojë si për kualifikimin e kësaj zone si zonë minoritare ashtu edhe për hapjen e një shkolle minoritare në Himarë.

“Mendoj se Shqipëria është e ndërgjegjshme që afrimi i saj me Bashkimin Evropian do të gjykohet edhe mbi bazën e të drejtave të minoriteteve”, ka shtuar Beglitis.

Edhe pse çështja e minoritetit grek në Shqipëri ka krijuar që prej shumë kohësh tension midis dy vendeve duke qëndruar ende në qendër të vëmendjes së opinionit publik, televizionet greke kanë  transmetuar pamje nga festa e fitores së kandidatit  minoritar në Himarë gjatë së cilës disa minoritar kanë ngritur flamurin grek si dhe kanë kënduar himnin kombëtar të Greqisë.

Por Greqia duket se i harron reagimet e saj kur bëhet fjalë për ngritjen e flamurit turk në vendet e populluara nga minoriteti turk në Greqi, ndërsa nga ana tjetër feston ngritjen e flamurit të saj në tokën  shqiptare si edhe vazhdon të bëjë presion mbi Shqipërinë për të ardhmen e saj në Evropën e Bashkuar./tvklan.al